PDA

View Full Version : Kujt t’ia zbuloj sekretet e mia?


xnjeri
03-08-07, 21:41
Kujt t’ia zbuloj sekretet e mia?
Shumë prej streseve, problemeve dhe çështjeve të ndryshme depërtojnë në mendjen e vajzës gjatë periudhës së adoleshencës duke e merakosur lodhur dhe stresuar, gjë që ndikon negativisht në jetën e saj.
03.07.2007 14:46

Nga: Fatbardha Bekteshi

Në të tilla momente, ajo qëndron konfuze dhe e lëkundur. Të gjitha mblidhen rreth saj; nëna, motra, tezja, shoqet etj. Pyetjet që i vijnë ndërmend asaj janë të shumta: Kujt t’ia zbuloj sekretet e mia? Tek cili prej tyre të drejtohem? Ku të shkoj me gjithë këto strese? Kush prej tyre ka mundësi të dëgjojë dhimbjet dhe shqetësimet e mia? Kush prej tyre është në gjendje të kuptojë ankesat e mia?

Për t’u dhënë përgjigje të gjitha këtyre pyetjeve është bërë një anketë me rreth 150 vajza të reja në më shumë se tre shkolla të mesme. Në bazë të kësaj ankete dolën në pah të dhënat e mëposhtme:

32% e vajzave të anketuara ia zbulojnë sekretet shoqeve të tyre

Shoqja ime është kasaforta e sekreteve të mia

32% e vajzave të anketuara ia zbulojnë sekretet shoqeve dhe vetëm 30% ia zbulojnë nënave të tyre. Këtu lind pyetja: Përse vajza i drejtohet shoqes së saj dhe jo nënës për t’i treguar sekretet e saj? Pra, a ka ndonjë problem që qëndron si pengesë ndërmjet vajzës dhe nënës së saj?

Sekrete të ndaluara

Sekretet janë disa llojesh dhe jo të gjitha mund t’i tregohen shoqeve, mirëpo sekretet e jetës së përditshme dhe ato mësimore mund të tregohen në ambientet shoqërore.

Ndjenjat e mia fshihen pas sekreteve

Shoqja ime është më afër problemeve të mia

Është vërtetuar se vetëm një pjesë e vogël e sekreteve që kanë të bëjnë me ndjenjat u tregohen nënave dhe motrave. Jo rastësisht, këtu kemi një pikëpyetje të madhe. Përse vajza të mos ua zbulojë sekretet e ndjenjave të saj njerëzve më të afërt? Si mund t’i fshihn nënës sekretet më të rëndësishme të jetës? Përse sekretet mbahen të fshehura nga motra, njeriu më i afërt?

Mos vallë lidhja e gjakut qëndron si pengesë dhe e ndalon vajzën që t’ia tregojë sekretet nënës dhe motrës së saj?!

Më poshtë le të shohim opinionin e vajzave të anketuara lidhur me këtë temë.

Shoqja ime e ngushtë më kupton më mirë

Sara, një tetëmbëdhjetëvjeçare prej vajzave të anketuara thotë se kur dëshiron që t’i zbulojë sekretet e saj, drejtohet te shoqja e saj e ngushtë tek e cila beson verbërisht dhe e ndjen veten mirë kur bisedon me të. Sipas saj, ajo është në të njëjtën moshë me të dhe kanë pothuajse të njëjtat probleme për t’ia besuar njëra-tjetrës. Ajo mendon se biseda të tilla me shoqen janë më të lehta dhe më të lirshme sesa me nënën, e cila ndoshta nuk të kupton mirë dhe gjërat mund të komplikohen.

Nëna ime është gjithmonë e zënë me punë

Një vajzë tjetër thotë se ka marrëdhënie shumë të mira me nënën e saj, por jo në atë shkallë sa t’ia tregojë sekretet e saj. Kjo ndodh për shkak se e ëma e saj është gjithmonë e zënë me punë, si dhe për faktin se ajo nuk ka mundësi t’i kuptojë problemet dhe sekretet e saj. Ndërsa shoqja e saj, e të njëjtës moshë me të, e dëgjon me vëmendje. Në fund ajo e trajton hapjen e saj me shoqen si diçka tepër normale, duke parë se nëna e saj nuk gjen kohë të mjaftueshme për të dëgjuar shqetësimet e ndryshme që lidhen me të.
Nëna është shoqja ime, por...

Një vajzë tjetër 16 vjeçare thotë se ajo nuk ka mundësi që t’ia zbulojë të gjitha sekretet nënës, megjithëse ajo e do, e respekton shumë dhe beson në gjykimin e saj. Ajo nuk ia tregon gjithë sekretet, nga frika se mos acarohen apo zbehen marrëdhëniet ndërmjet tyre. Ajo thotë se e kundërta ndodh me shoqen e saj, e cila është në gjendje ta kuptojë shumë më mirë atë. Prandaj, është e drejta e saj që sekretet t’ia tregojë shoqes.

xnjeri
03-08-07, 21:42
Probleme të tjera

Një e re tjetër 18 vjeçare thotë se ajo i tregon shoqes së saj vetëm sekretet që kanë të bëjnë me çështjet mësimore, apo për probleme të zakonshme të jetës së përditshme. Kjo, për shkak të afrisë që ka me të dhe kontaktit të vazhdueshëm. Përsa i përket sekreteve të tjera dhe kryesisht ato që kanë të bëjnë me ndjenjat, ajo thotë se nuk i tregon asgjë shoqes së vet. Ajo mendon se nuk është vetëm ajo që ka të drejta për sekretet e saj, por janë edhe prindërit me familjen. Ajo thotë se nuk ka aq besim te shoqja e saj për t’i treguar të tilla sekrete dhe se nuk ka dëshirë për ta futur veten në siklet.

Mungesa e përvojës... ajo është shkaku

Një vajzë tjetër thotë se ia tregon sekretet vetëm shoqes së saj, mirëpo fakti që shoqja e saj është e vogël dhe larg problemeve shoqërore dhe familjare, e bën atë të gabojë në vlerësimin e momenteve të ndryshme dhe shpesh ajo i ofron zgjidhje të gabuara.

Familja është rrethi i sekreteve të mia

Një vajzë tjetër pohoi me vendosmëri se ajo preferon të drejtohet gjithmonë për të treguar sekretet e saj shoqërore dhe familjare tek dikush nga personat e familjes së saj në vend që t’ia tregojë ato shoqeve të saj. Ajo mendon se është pikërisht familja që i qëndron afër, e edukon dhe e drejton atë gjithmonë në rrugën e duhur. Ajo thotë se nëna, vëllezërit dhe motrat e saj, duke qenë se jetojnë në të njëjtën shtëpi dhe duke qenë se ata janë më afër problemeve të saj, mendon se në këtë mënyrë është më e lehtë për ta që t’i rekomandojnë asaj zgjidhje të sakta dhe të mençura. Ajo e konsideron të gabuar zbulimin e sekreteve familjare dhe personale shoqeve të saj, ndonëse nuk mendon se përbën problem zbulimi i sekreteve shkollore apo dhe i atyre të zakonshme shoqërore.

Në sytë e nënës sime unë jam ende një fëmijë

Një prej të anketuarave pranon se i vjen shumë zor të flasë me nënën, për çështje që kanë të bëjnë me jetën e saj private dhe ndjenjat. Ajo thotë se nëna e saj e sheh atë ende si një fëmijë të vogël, së cilës nuk kanë filluar që ndjenjat t,i marrin jetë, ndërsa vajza mendon se këto ndjenja janë tepër normale për moshën e adoleshencës. Po ashtu, ajo thotë se nuk ia tregon motrës së vet sekretet, pasi ajo mund t’ia transmetojë nënës. Edhe nëse, ajo vendos t’ia tregojë dikujt sekretet, që kanë të bëjnë me ndjenjat, ia tregon shoqes së saj të ngushtë.

Personalitet i sertë

Një vajzë tjetër thotë se të gjithë pjesëtarët e familjes janë të mendimit se ajo është e rreptë dhe me një personalitet të çeliktë. Ajo thotë se ata mendojnë se vajza e tyre u vë fre gjërave rreptësisht dhe në mënyrë të hapur. Vajza thotë se e ka tepër të vështirë që një ditë të fillojë t’ia tregojë sekretet e saj nënës apo motrës së saj dhe t’i zbulojë atyre këtë anë të personalitetit të vet. Ajo e sheh këtë si diçka të pamundur për karakterin e saj, madje nuk është as me atë që t’ua tregojë shoqeve të saj, duke menduar se këto sekrete duhet të gjejnë vend vetëm tek bartësi i tyre.

Tradita dhe zakone të rrepta

Ndërsa një e re tjetër thotë se edukata, tradita dhe zakonet shpesh bëhen pengesë që ajo t’ia zbulojë nënës apo motrës sekretet që lidhen me ndjenjat e saj.

Ajo është e mendimit se do të shpërthejë një katastrofë në shtëpinë e qetë të tyre, nëse nëna do të mësojë këto lloj sekretesh që kanë të bëjnë me ndjenjat dhe do t’i zërë veshi fjalë që nuk ekzistojnë në fjalorin e familjes së tyre. Sipas saj (nënës) është detyrë që vajza të mos përjetojë asnjë lloj ndjenje karshi cilitdo qoftë.

Fshehja e sekreteve

Njeriu është pjesë e shoqërisë dhe është krejt e natyrshme që ai të ketë marrëdhënie me këtë shoqëri. Ai krijon lidhje me ambientin që e rrethon, bashkëbisedon me ta, ashtu siç bashkëbisedojnë ata me të. Afrimi me shoqërinë dhe të tjerët dhe komunikimi me ta ndryshon sipas kritereve të bisedës, temave të këtyre bisedave dhe se sa të përgjithshme dhe sa personale janë ato. Për aq kohë sa bëhet fjalë për njohuri të përgjithshme, aq më shumë zgjerohet rrethi i bisedës dhe e kundërta ndodh me njohuritë dhe çështjet private, të cilat, normalisht, trajtohen në një rreth më të ngushtë. Tema, të cilën po trajtojmë është: “Kujt t’ia zbulosh sekretet e tua?”. Kur flasim për këtë temë, duhet të shohim me vëmendje aktualitetin që na rrethon dhe rrugën e lavdishme që ka ndjekur Profeti ynë, Muhamedi (a.s.) dhe pasuesit e tij të denjë.

Për të bërë një përmbledhje të cilësive të një personi, me të cilin ia vlen të flasim dhe të diskutojmë për çështje të ndryshme, e aq më tepër ti besojmë sekretet, shembulli më i mirë është personaliteti i shquar musliman Hudhejfe bin Jemani, tek i cili ka patur besim dhe shpesh i ka treguar gjëra të fshehta, vetë Muhamedi (a.s.).

Prej cilësive të shquara të tij po përmendim:

Mendjemprehtësia

Ditën e Ahzabit, Pejgamberi (a.s.) e dërgoi Hudhejfen tek ushtria armike për të zbuluar planet dhe kurthet e tyre kundër muslimanëve. Pak pasi ai mbërriti te ushtria e tyre, komandanti i armiqve dyshoi se dikush i huaj kishte hyrë në radhët e tyre. U ngrit dhe bërtiti: O njerëz! Po druhem se mos planet tona shkojnë në vesh të Muhamedit. Secili prej jush të vështrojë mirë shokun që ka pranë!

Hudhejfe në atë moment, nuk priti shumë dhe si i zgjuar që ishte, iu drejtua menjëherë shokut që kishte pranë: Kush je ti? Shoku i tregoi emrin dhe kështu çdo gjë u mbyll me kaq, ndërkohë që Hudhejfe u kthye po atë natë për te Profeti (a.s.) dhe i tregoi atij për planet që thurnin armiqtë kundër muslimanëve.

Korrektësia

Ai ruhej nga veset e këqija, që ato të mos bëheshin kurrë pjesë e tij.

Besnikëria

Profeti (a.s.) ia ka treguar atij emrat e hipokritëve të Medines, megjithëse ky ishte një sekret i madh që nuk e dinte asnjë tjetër prej shokëve të Muhamedit (a.s.). Ai iu betua Profetit se do të ndiqte me vëmendje veprimet e tyre që mos të kishin mundësi t’i dëmtonin muslimanët. Që nga ajo kohë ai u mbiquajt nga shokët e tij si: “Bartësi i sekreteve të Profetit ”.

Guximi

Shembull për guximin e tij është se ai shkoi tek ushtria armike duke sakrifikuar jetën e tij.

Vetëpërmbajtja

Kur shkoi tek ushtria armike, ai kishte mundësi ta vriste kreun e tyre Ebu Sufjanin, megjithatë nuk e bëri një gjë të tillë se nuk ishte i urdhëruar për këtë. Vetëpërmbajtja është një virtyt tepër i rëndësishëm.

Frika nga Zoti

Personi që duhet t’ia tregojmë sekretet duhet që ta ketë shumë frikë Zotin dhe të jetë tepër i përpiktë. Nëse ai e ka frikë Zotin, është një arsye më tepër që ai ta mbajë sekretin dhe mos ta përhapë atë vend dhe pa vend. I tillë ka qenë dhe Hudhejfe bin Jemani. Ai e ka patur frikë Zotin dhe ka qenë njeri shumë besnik.
var tmp; tmp = document.getElementById("news_content").getElementsByTagName("a"); for(i=0; i

rilinda
03-08-07, 21:56
Pse është kaq e vështirë të mbajmë një sekret?

Oscar Wilde pohonte se mënyra më e mirë për të përhapur një lajm është që të thuash se bëhet fjalë për një sekret.

E përforcon këtë ide dramaturgu William Cangreve, i cili, duke bërë shaka thoshte: “E di që është sekret, sepse e kam dëgjuar të pëshpëritet ngado”. Bëhet fjalë për një paradoks, por që gjithsesi e ka një shpjegim. “Sekreti është si një zjarr që djeg ndërgjegjen tonë”, pohon Ferro, një psiko-analist i famshëm. Duke reflektuar rreth atij informacioni që ne e kemi quajtur sekret, kuptojmë se bëhet fjalë për një lajm që ka një identitet jo social. Mund të jetë diçka e qortueshme, apo një informacion që nxjerr në pah brishtësinë tonë, por mund të jetë edhe një mashtrim ose në rastin më të keq edhe një krim. Ta rrëfesh apo jo, kjo është një zgjedhje. Në rastin që dikush të zgjedh për të të thënë diçka të fshehtë, patjetër që do të ndjehesh i përkëdhelur në sedër, i rëndësishëm, i denjë për besimin e rrëfimtarit. Dhe pikërisht për këtë arsye fillon e ngre krye narcizmi ynë, kështu e ndjejmë të nevojshme t’u tregojmë të tjerëve se jemi ne të zgjedhurit për të mësuar lajmet pikante. Sa më interesant dhe ekskluziv të jetë ky lajm, aq më shumë ndez kuriozitetin dhe tërheq vëmendjen tonë. Pra, duket sikur të gjitha sekretet kanë të njëjtin fat, janë të destinuara të shëtisin gojë më gojë, duke u transformuar në thashethem. Në momentin që bëhemi pjesë e të fshehtës së tjetrit, fillon një kapitull i ri i marrëdhënieve me të. Që nga ky moment, miqësia ose do të konsolidohet, ose do të shkatërrohet. Sekreti i shpërndarë apo i mbajtur për vete shënon fatin e marrëdhënieve tona me njerëzit. Le të flasim pra në forumin tonë për këtë dukuri aspak sporadike… Fundja kujt nuk i ka qëlluar që të rrëfejë, apo t’ia rrëfejnë një sekret!

Kij kujdes, ta kam thënë vetëm ty!

Në përgjithësi kështu mbaron një rrëfim delikat. Dhe nga ky moment fillon një kapitull i ri marrëdhëniesh mes atij që e merr lajmin dhe atij që e jep. Por çfarë ndodh tek të dy këta individë në momentin që dinë të fshehta për njëri-tjetrin. Lexoni më poshtë:

Kur të thonë një sekret,ndjehesh i kënaqur
Nga njëra anë je mirënjohës e nga ana tjetër ndjehesh disi i fuqishëm kundrejt atij që po të tregon një sekret. Tjetri kërkon mendimin tonë dhe në një farë mënyre tashmë ai është në dorën tonë.

Frikësohesh
A jemi të gatshëm të mbajmë një peshë kaq të rëndë siç është ajo e një sekreti? Eshtë e drejta jonë që të trembemi dhe të tërhiqemi përballë kësaj ngjarjeje, sidomos kur kemi të bëjmë me tema delikate, siç është tradhtia, kërcënimi, korrupsioni. “Nuk jam në gjendje të flas për këtë argument”. Kjo mund të ishte një frazë që mund të na shpëtonte nga ky moment delikat dhe ndonjëherë kompromentues. Natyrisht që ne e falënderojmë tjetrin që na zgjodhi ne për të na besuar, por megjithatë ne nuk kemi pse të mos e fshehim “impotencën” tonë në këtë rast.

Vë në lojë empatinë
“Mos u mërzit, një gjë e tillë më ka ndodhur edhe mua, një shoqja ime ka arritur të gjejë zgjidhje”. Këto janë fjalët që do të donte të dëgjonte ai që ka ardhur për t’u rrëfyer tek ne. Të kesh aftësinë që të gjesh çelësin e sekretit për ta ndihmuar një njeri që është në hall, është një gjë mjaft pozitive.



Kur thua një sekret...


E pastron nga ndjenjat negative
Sa më shumë një mendim apo një fakt mbahet i fshehur, aq më shumë merr formë dhe ushqehet. Një antipati e fortë e parrëfyer ndaj dikujt p.sh. mund të zgjojë një kuriozitet të madh, apo të stimulojë ndjenja agresive. Dhe kur i thuhet një miku merr vlerën e një thashethemi dhe ridimensionohet.

Deklaron besimin tënd
T’i rrëfesh një sekret një miku, tregon stimë dhe afeksion për personin që ia thua. Eshtë njëlloj si të thuash: “Të konsideroj një njeri të besueshëm dhe mendoj se ti mund të më gjesh një zgjidhje.”

E lidh mikun mbas vetes
Psikologët e quajnë sekret manipulues. Njeriu që i tregon tjetrit një sekret, bën një lloj pakti me të: “Unë dhe ti jemi lidhur nga një konfidencë e veçantë. Miqësia jonë është më ekskluzive sesa ajo që mund të kesh me të tjerët”.




Parukierë, pastrues, kamerierë, nxjerrin sekretet e VIP-ave të Hollivudit

VIP-at e Hollivudit e kanë me të vërtetë pisk për të mbajtur diçka për vete. Në botën moderne, informacioni sekret paguhet një djall e gjysmë, kështu që mund të ndodhë që për një artikull plot me sekrete për VIP-at, të kesh bashkëpunëtorë parrukierë, estetë, kuzhinierë, pastrues e deri miq të ngushtë. Ka qenë një kameriere që ka rrëfyer publikisht se, Jennifer Lopes dhe Ben Aflek po shkonin drejt divorcit. Më pas, edhe pse mund të jetë pushuar nga puna, për të nuk kishte më rëndësi, pasi pagesa e bërë nga revista rozë do ketë qenë sa shumë rroga të saj prej kameriereje. Sa herë ka një problem Madonna, informacionet sekrete dalin nga shtëpia ku banon, po kështu edhe Jenifer Aniston, apo Naomi Campbell. Ndërsa rasti tipik i nxjerrjes së sekreteve të VIP-ave është ai i Lady Dianës, sekretet e së cilës për një lidhje jashtëmartesore dolën nga njerëzit që i shërbenin. Në këtë rast, ndërhyrja dhe nxjerrja në shesh e të fshehtave të saj pati një fund tragjik akoma të pazbardhur sot e kësaj dite.

rilinda
03-08-07, 21:57
Dëshmi
Jam e zhgënjyer, nuk i besoj më askujt

Klara, 35 vjeç
I kam treguar një mikes time një herë një të fshehtë, që po të më dilte në shesh do më prishte shumë punë. Isha shtatzënë me një djalë me të cilin nuk rrija më dhe më duhej ndihma e saj për të abortuar fëmijën. Ajo më ndihmoi dhe shoqëria jonë më pas u bë gjithnjë e më e ngushtë. Kur kaloi pak kohë unë njoha një djalë tjetër dhe gjërat mes nesh po shkonin shumë mirë. Kur vendosëm për ta zyrtarizuar lidhjen tonë, natyrisht që unë ia thashë të parës mikes time të zemrës. Ajo, që kishte një muaj që ishte prishur me të dashurin e saj u bë keq, edhe pse mundohej të dukej e kënaqur. Nuk kaloi një javë dhe i dashuri më la, duke më thënë se nuk e kishte ndërmend të lidhej me një vajzë të përdalë, që aborton. Ndarja e sekretit me miken time shkatërroi gjithçka. Që atëherë kam zënë mend, nuk tregoj më asgjë, nuk i besoj më askujt.



Kur sekreti merr dhenë

Fëmijë jo legjitim
Fëmijë fantazmë, të mbajtur fshehur për shumë kohë ashtu si Aleksandri, fëmija i princit Alberto të Monakos, ose vajza e Claudio Villës, këngëtarit të famshëm italian. Ajo u shfaq në ekran me sekretin e saj vetëm pak vite më parë. Dhe habia më e madhe ishte se ajo dinte të këndonte shumë bukur. Çështje genesh!

Klandestinët
Ndërsa Edoardo Vill dhe Wally Simpson e zbuluan sekretin edhe pse ai do të humbte fronin, po lindte lidhja lesbike mes Eleanor Roosevelt me një spiune. Një lidhje që është mohuar gjithmonë.


Kushërinj të padenjë
Jackie Kennedy ka mbajtur për një kohë të gjatë të fshehur ekzistencën e një kushërire me probleme mendore. Kjo histori është treguar në një musical (operetë) të Grey Gardens, e shfaqur në Broadway.

Dopio jeta
Dje ishte Mata Hari, sot Aleksandër Litvinenko, apo Marion Scaramella: Profesioni i agjentit sekret gjithmonë ka qenë i mbushur me mistere dhe mashtrime.



Nëse do një vend në kopertinë, më trego një sekret
Tek njerëzit publikë padyshim që informacioni sekret ka dimension më të gjerë sesa tek njerëzit e zakonshëm, që nuk njihen publikisht. Shqiptarët trashëgojnë një traditë të tmerrshme për sa i përket konceptit të informacionit sekret, pasi një sistem diktatorial ngrihej vetëm mbi fshehjen e realitetin dhe shtrembërimin e tij pasi e vërteta ishte shumë e hidhur dhe e dhimbshme. Quheshin informacione sekret lajmet më të zakonshme që gjithkush kishte të drejtë t’i mësonte duke etiketuar “sekret shtetëror” edhe lajme për të cilat çdo shtetas duhej të informohej. Për të mos folur pastaj për fshehjen me fanatizëm për rreth 10 vite të faktit, që diktatori Hoxha ishte i sëmurë dhe shumë punë të tij i kryenin të tjerët.
Le të kthehemi në ditët tona dhe më konkretisht tek njerëzit VIP. Ata kanë fatin të admirohen dhe pëlqehen nga shumica, por e gjitha kjo ka një kosto, ata e kanë shumë të vështirë që të mbajnë shumë gjëra për vete. E keni parasysh prezantuesen dhe gazetaren e mirënjohur Sonila Meço në intervistat e dy-tre viteve më parë? Edhe pse ishte e dashuruar dhe miqtë e saj e dinin, nuk e pranonte kurrsesi këtë fakt, duke thënë se e vetmja dashuri e saj ishte nipçja i vogël. Ka deklaruar më në fund për here të parë publikisht në gazetën tonë: “Po, jam e dashuruar”. Më në fund, Sonila e ka ndarë sekretin e saj me të gjithë ne, edhe pse të paktë ishin ato që nuk e dinin, pasi siç e kemi thënë më lart, nuk ka lajm që të përhapet më shpejt se sekreti, natyrisht i komentuar si një thashethem. Po Alketa Vejsiu? Nuk donte të tregonte kurrsesi se për një javë martohej pasi preferonte pak “privacy” për ditën më të rëndësishme të jetës së saj. Natyrisht një sekret që doli më shpejt nga ç’mund ta imagjinonte vajza e njohur. Jeta private e njerëzve të njohur mbart shumë mistere dhe për të mësuar më shumë për ta, kurioziteti është shumë i madh. Tashmë duke thyer edhe një tabu për të cilin po bëhen po bëhen përditë të vetëdijshëm personazhet tanë të famshëm, jo rrallë herë ka ndodhur që këngëtarë, artistë apo gazetarë të njohur kanë gjetur copëza nga jeta e tyre private të publikuar tek “Panorama Plus”. Ka reaguar me një habi të paparë analisti i mirënjohur Mustafa Nano kur ka parë të publikuar në gazetën tonë sekretin e tij, për të cilin vetëm pak miq të ngushtë ishin në dijeni. Bëhej fjalë për divorcin e tij, i cili kishte ndodhur rreth një muaj para publikimit të artikullit tonë. Tashmë për ne të “Panorama Plus” ka një shprehje tipike që përdoret kur shkojmë të intervistojmë një personazh të njohur, pasi bisedën me ta e fillojmë kështu: “Ke ndonjë sekret që dëshiron të na e thuash në këtë intervistë?” Ai që pranon të na japë një lajm ekskluziv dhe shumë pikant, patjetër që fiton vendin e nderit, kopertinën.



Paratë më sekret se raportet seksuale
Absolutisht “Top Secret”: Sipas një sondazhi të kohëve të fundit, në listën e gjërave personale që mund të shqetësojë dikë po të dalë në publik, nuk janë lajmet që kanë të bëjnë me sferën intime apo seksuale, por ato që kanë të bëjnë me paratë. Statusi ynë shoqëror, paga, janë pika më e dobët e shumicës prej nesh. Ky pyetësor i bërë në një televizion anglez, ka vërtetuar se njerëzit nuk e kanë problem të tregojnë se kur kanë bërë dashuri herën e fundit, por kurrsesi nuk të tregojnë se sa e kanë rrogën. Kjo pengesë për të treguar paratë vihet re edhe tek ata që nuk kanë shumë para, por që nuk duan të tregohen inferior në sytë e botës, po ashtu edhe tek individët e pasur, të cilët nuk duan të ndjehen të kërcënuar prej kamjes së tyre.


Një adresë për të rrëfyer të fshehtat pa problem
Meqë tundimi për të thënë një sekret apo të fshehtë është shumë i madh, është gjetur një zgjidhje që të mos dëmtojë asnjë palë. Bëhet fjalë për një adresë interneti e krijuar nga një amerikan, që quhet Frank Warren. Që në start siti www.postsecret.blogspot.com (http://www.postsecret.blogspot.com/) pati një sukses të paparë. Çdo ditë me mijëra mesazhe nga e gjithë bota dërgohen në këtë adresë. Ato janë në formë kartolinash të animuara, dizenjo, fotografi, imazhe të shoqëruara me fraza që dalin nga zemra, por që janë të tmerrshme dhe shpesh skandaloze. “I kam uruar një njeriu që të vdesë dhe sot mora vesh se ai kishte vdekur me të vërtetë dhe për këtë gjë nuk ndjehem aspak keq” është njëri nga mesazhet e ardhura tek kjo adresë. Një tjetër mesazh ka këtë tekst: “Kam bërë seks me të dashurin tim tek sediljet mbrapa, ndërkohë që prindërit e tij ishin para. Ishte një eksperiencë shumë eksituese”. Fluksi i mesazheve është aq i madh, saqë menaxheri i adresës tregon se ata detyrohen që çdo të diel të zbrazin mesazhet e vjetra për t’i zëvendësuar me të reja.

rilinda
03-08-07, 21:59
http://www.iliriaplus.com/arkivi/mars2007/psikologji/secrecy.jpg


Kanë thënë për sekretin

"Atë që e dinë tre vetë, e dinë treqind."

Agrikola
"Të nxjerrësh sekretin e tjetrit është pabesi, të nxjerrësh tëndin është budallallëk."

Volter
"Njeriu që nuk di të ruajë të fshehtën është si një letër e hapur që mund ta lexojë gjithkush."

Grasian
"Askush më mirë se një fëmijë nuk di të ruajë një të fshehtë."

Hygo
"Kush tregon se ka një të fshehtë, e ka treguar atë përgjysmë."

Zanders
"Më mirë nga të gjithë sekretin e ruan ai që nuk e di."

Kalderon
"Në çdo përhapje të sekretit, ka faj edhe ai që e ka dëgjuar."

La Brujer
"Nuk ka barrë më të rëndë sesa të ruash një të fshehtë."

Lafonten
"Ajo që nuk ka enigmë nuk të josh."

Frans
"Nëse do që të heshtin të tjerët, hesht ti i pari."

Seneka i Riu
"Më ka qëlluar shpesh të pendohem për fjalët e mia, por nuk jam penduar kurrë për rastet kur kam heshtur."

Publil Sir
"Dy vetë e ruajnë të fshehtën vetëm atëherë kur njëri prej tyre nuk e di."

Shekspir

xnjeri
04-08-07, 16:39
po cte bejmtash ore ... ti na ike mendjen ... kem ra ne hall...t'i tregojm sekretet apo jo?

kristian_78
06-08-07, 15:06
pajtohem me nje nga shprehjet e rilindes.Të nxjerrësh sekretin e tjetrit është pabesi, të nxjerrësh tëndin është budallallëk."

Volter

uck_aksh
07-08-07, 22:32
sekreti duhet te mbetet vetem ne mendjen tende deri ne vdekje nese don te mbetet sekret